Policia në këmbë për kanabisin, Rrumbullaku letër vartësve: Shtoni kontrollet

Drejtorët e policisë në qarqe dhe shefat e komisariateve do ë mbajnë përgjegjësi për çdo rast të kultivimit të drogës në ambiente të mbyllura. Kreu i policisë Muhamet Rrumbullaku ka shpërndarë një listë porosish për vartësit ku kërkon luftimin e fenomenit dhe paralajmëron ndëshkime për ato struktura të policisë që nuk kanë rezultat në parandalimin dhe goditjen e këtij fenomeni.

Policia e shtetit ka nisur një operacion masiv kundër kultivimit të kanabisit në ambiente të mbyllura.

Gjatë muajve janar dhe muajit shkurt, janë evidentuar në Durrës, në Fier dhe në Vlorë, 3 vila, me 5 kate të përshtatura për kultivim të bimëve narkotike, me anë të llambave, si dhe një magazinë në Kropishtë të Selenicës, gjithashtu e përshtatur për kultivim.

Në total në këto ndërtesa, policia tha se bimët e kanabisit ishin mbjellë në 16 dhoma. Për këto raste policia ka vënë në pranga 13 shtetas, nga të cilët 8 punonjës të OSHEE-së, si dhe janë shpallur në kërkim 3 të dyshuar të tjerë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Muhamet Rrumbullaku u ka ndarë një listë me porosi drejtorëve të qarqeve dhe atyre të kufirit, për këtë fenomen.

Ai kërkon intensifikimin e kontrolleve në terren dhe në ambiente të mbyllura si dhe mbledhjen e informacionit, duke bashkëpunuar me qytetarët dhe agjencitë ligjzbatuese, për personat me tendencë në fushën e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Kreu i policisë kërkon kontroll të përjavshëm të territorit, me grupe dhe jo vetëm përgjegjësi e specialistëve të zonave por e gjithë strukturës policore në zone.

 Më tej Rrumbullaku kërkon krijimin e grupeve të kontrollit të përbashkëta, me të gjitha institucionet përfshirë vëmendjen e shtuar në pikat e kalimit kufitar, në kufirin tokësor dhe në atë detar, për parandalimin e futjes në Shqipëri, të farave të kanabisit dhe për parandalimin e krimeve ndërkufitare, në veçanti tentativën për trafikim të lëndëve narkotike.

Policia kërkon bashkëpunimin me OSHEE-në në qarqe, për të evidentuar lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike për të furnizuar ambientet e brendshme që mund të përdoren opër kultivimin e kanabisit.

Në shkresën e drejtorisë së përgjithshme paralajmërohet se në rast se nga agjenci të tjera ligjzbatuese, do të konstatohen bimë narkotike të kultivuara në terren të hapur apo në ambiente të mbyllura, përgjegjësia do të jetë mbi zinxhirin drejtues të drejtorisë dhe të komisariatit përkatës që mbulon zonën.

Në listën e porosive kërkohet edhe organizimi i takimeve masive, me nxënës të shkollave dhe qytetarët, me qëllim sensibilizimin për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike dhe për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve, për denoncimin e kësaj veprimtarie.