Aplikimet për formularin A1Z, plotësohet në e-Albania, data 3 mars afati i fundit
Nga data 27 shkurt deri në 3 mars, ata që kanë përfunduar Maturën Shtetërore para vitit 2023 dhe duan të ndjekin studimet e larta këtë vit do të duhet të plotësojnë formularin A1Z. Ky formular u shërben edhe atyre që dëshirojnë të nisin një universitet të dytë.
Prej kësaj të hëne, 27 shkurt, ka nisur plotësimi i formularit A1Z.
Është një formular që u shërben atyre që kanë përfunduar me sukses detyrimet e Maturës Shtetërore para vitit 2023 dhe dëshirojnë të ndjekin studimet e larta apo të fillojnë një universitet të dytë.
"Kemi pasur persona nga '97, 2003, 2004, 2010, 2015, 2017, madje ka dhe pë universitet të dytë. Përsëri aplikimi fillon nga gjimnazi".
Elisabeta Drita, mbikëqyrëse e Maturës Shtetërore në gjimnazin "Qemal Stafa" thotë se procesi nis në portalin e-Albania dhe përfundon në shkollë ku konfirmohen të dhënat.
"Në këtë datë duhet të paraqiten pranë shkollave dhe të sjellin dokumentacionin përkatës."
Po ashtu maturantëve të këtij viti u jepet mundësia të ndryshojnë apo korrigjojnë të dhënat që kanë plotësuar në formularin A1 në nëntor.
"Ndonjë maturant i cili ka pasaktësi ka të drejtë të bëjë këtë modifikim si dhe lëndën me zgjedhje."
Afati i fundit për plotësimin e formularit A1Z apo ndryshimin e formularit A1 është data 3 mars.

