Miraka tregon tmerret: Në kampin e Tepelenës vdisnin përditë njerëz, i lidhin fëmijët në shtyllë

Në një intervistë për RTV Ora, Simon Miraka, ish i burgosur politik, tregoi se periudha më e tmerrshme ka qenë ajo e kampit të shfarosjes së Tepelenës

Ai tha se ushimi ishte shumë i keq dhe se çdo ditë vdisnin njerëz, ndërsa shtoi se kur vdiste dikush familjari e mbante aty disa ditë që të merrte racionin e bukës.

Miraka: Periudha më e tmerrshme ka qenë ajo e kampit të shfarosjes së Tepelenës. Aty kishte vetëm molodinë e përditshme të vajit, pasi vdisnin përditë njerëz, sidomos fëmijë. Kampi ishte i rrethuar me tela dhe përbëhej nga pleq dhe fëmijë. Mirëpo, jeta aty ishte mizerje, 500 veta në një kazermë, ushqimi ishte mizerabël. Vdiste njeriu dhe familjari e mbante aty disa ditë që të merrte racionin e bukës.

Pastaj shihje komandën e kampit që qeshte dhe kënaqeshin. Vinte natën ai në orën 1 dhe i merrte ato jorganët dhe thoshte hajde paraqituni aty në apel. Aty lidhin dy fëmijë, që kishin dalë nga uria jashtë telave dhe kishin ngrënë disa kokrra të kuqe, dhe i lidhi polici 2 ditë jashtë në shtyllë. U kishte ranë të fikët pastaj dhe i morën familjarët.