Berisha: Vizitë historike ajo e presidentit Biden në Ukrainë, dëshmi e mbështetjes së SHBA-së ndaj Kievit
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka vlerësuar maksimalisht vizitën Presidentit të SHBA, Joe Biden, në Ukrainë, në kushtet kur ky vend gjendet nën agresionin rus.
“Një vizitë për t’u përshëndetur", shkroi Berisha nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale, ku dhe publikoi foton e Biden në krah të presidentit Zelensky në Kiev.
"Presidenti i SHBA ishte për një vizitë në Kiev. Partia Demokratike përshëndet këtë vizitë historike si një dëshmi e mbështetjes kulmore të SHBA për Ukrainën, kombin e saj vigan që përballet prej një viti me agresionin barbar rus.
Kjo vizitë është gjithashtu një mesazh i prerë që SHBA, Presidenti Joe Biden i dërgojnë Vladimir Putinit, agresorit mizor se me barbaritë e tij nuk do të mund të mposhtë kurrë Ukrainën e pavarur dhe kombin e saj të lirë”, nënvizoi më tej lideri i opozitës, Sali Berisha.


