Të izoluar prej 1 muaji/ Ura në “Kodër Mulliri” në Lezhë u shemb në muajin janar dhe ende asnjë ndërhyrje

Rreth 500 banorë të një lagjeje në Lezhë janë izoluar prej më shumë se një muaji për shkak se ura që lidhte lagjen e tyre me zonat e tjera është shembur. Banorët thonë se deri më tani nuk ka pasur asnjë ndërhyrje ndërsa ata apelojnë për ndihmë.

Rreth 500 banor të lagjes "Kodër Mulliri" në Lezhë, duhet të udhetojnë gjatë për tu lidhur me rrugen nacionale Lezhë-Milot.

Shkak i kësaj situate është bërë shembja e urës nga vërshimi i përroit të Manatisë gjatë reshjeve të dendura të shiut të 19 janarit të këtij viti.

Mungesa e urës prej gati 1 muaj ju ka vështirësuar jetesën dhe kostot financiare thonë banoret e lagjes "Kodër Mulliri".

Po ashtu ata theksojnë se kanë shumë pak shpresë se problematika do të marrë zgjidhje brenda një kohë të shpejtë.

Administratori i Kolshit Fajton Zefi, thotë se projekti i kësaj ure është bërë gati dhe është dakortësuar që të ndërtohet nga forcat xheniere të ushtrisë.

Vërshimi i përrenjeve dhe kanaleve nga reshjet e dendura të shiut të muajit janar, sollën dëme të konsiderueshme në disa zona të Bashkisë Lezhë.