Vit i vështirë për energjinë? Liqeni i Fierzës bie ndjeshëm, shkak thatësira dhe mungesa e reshjeve

Edhe 47 metra Liqeni i Fierzës arrin në pikën e vdejes, ku nuk mund të prodhojë më energji elektrike. Thatësira e madhe që ka mbizotëruar në këtë dimër, dhe mungesa e reshjeve të dëborës ka bërë që niveli i liqenit të zbresë në kuotën e 288 metrave. Kur liqeni të zbresë në 242 metra atëherë ai konsederohet në pikën e vdekjes ku prodhimi i energjisë ndalon.

Dimri i butë që po mbizotëron në rajonin e Kukësit dhe mungesa e reshjeve kanë bërë që në gjysmën e parë të shkurtit niveli i ujërave në basenin e Hidrocentralit të Fierzës, të ulet ndjeshëm me afro 5 metra.

Niveli i ujërave të liqenit të Fierzës ka arritur 288.57 metra, pasi prurjet e ujit vazhdojnë të jenë të ulëta me rreth 150 metërkub per sekonde.

Shkak tjetër i rënies së nivelit është edhe puna me kapacitet të plotë me katër turbina për prodhimin e energjisë elektrike në hidrocentralin e Fierzës.

 Liqeni i Fierzës në fillm të shkurtit me 292.61 metra  ishte pranë kuotës maksimale, për shkak të reshjeve që u regjistruan gjatë muajit janar ndërsa prurjet rreth 250 m3/sek.

 Kujtojmë se Liqeni i Fierzës, në nivelin maksimal të tij, 296 metra, ka një kapacitet ujëmbajtës prej 2.7 miliardë metër kub ujë.

Ndërsa në nivelin e të ashtuquajturës “pikë e vdekjes”, 242 metra, kapaciteti është 1.2 miliard metër kub ujë, që nuk shfrytëzohet për prodhim energjie.