Ekipet shqiptare kthehen në shtëpi pas ndihmës në Turqi
Tri skuadrat shqiptare që morën pjesë në operacionet e kërkim-shpëtimit pas dy tërmeteve shkatërrimtare në Turqi, përfunduan punën e tyre dhe u nisën për t’u kthyer në Atdhe.
Pas 11 ditësh pune intensive, rreth 85 trupa, në përbërje të të cilëve ishin efektivë të Forcave të Armatosura, të Emergjencave Civile, ekipeve shëndetësore janë përcjellë me duartrokitje nga përfaqësues të autoriteteve turke, por edhe qytetarë të thjeshtë, të cilët u shprehën mirënjohjen për kontributin e tyre.
Kontributin e tyre e ka përshëndetur edhe vetë kreu i Qeverisë Edi Rama nga Mynihu.
"Krenari dhe respekt për 3 skuadrat e vajzave e djemve nga Forcat e Armatosura, Emergjencat Civile dhe Shërbimi Shëndetësor, të cilët përgjatë 11 ditëve e netëve u angazhuan në operacionet e kërkim-shpëtimit në zonat e shkatërruara nga tërmeti katastrofik në Turqi," u shpreh Rama.
Në ceremoninë e përcjelljes ishte e pranishme edhe konsullja shqiptare në Stamboll, Blerta Kadzadej, e cila shprehu falenderimet për punën e palodhur të ekipeve shqiptare.
Koloneli Elton Reso tha se përgjatë këtyre ditëve të kërkim-shpëtimit janë nxjerrë nga ekipet shqiptare 26 persona të bllokuar nën rrënoja, mes të cilëve edhe disa të mbijetuar. Ai kujton si emocionues momentin kur nga rrënojat u nxorr një vajzë e vogël.
Ekipet shqiptare në koordinim edhe me emergjencat turke, AFAD u vendosën kryesisht në zonën e Malatyas.
Shqipëria iu përgjigj menjëherë thirrjes për ndihmë të Turqisë dhe brenda 24 orëve në zonat e tërmetit mbërriti ekipi i parë i parë shqiptar i shpëtimit. Gjithashtu, në emër të pupollit shqiptar, Kryeministri i vendit Edi Rama u bë pjesë e fushatës ndërgjegjësuese, duke dhuruar 1 milion euro në ndihmë të rindërtimit.

