"Të pamundur për të shpëtuar familjarët nxirrnin dikë tjetër" Aktivisti shqiptar: Hera e parë që pamë një qytet të rrënuar

Tërmeti shkatërrimtar i 6 shkurtit në kufirin Turqi Siri do të mbahet mend gjatë. Teksa numri i viktimave ka shkuar në mbi 45 mijë, ekipe kërkimi dhe vullnetarë nga e gjithë bota kanë shkuar në zonat e prekura.

Një ndër to është dhe aktivisti shqiptar Edmond Liçaj që në një intervistë për RTV Ora u shpreh se në fillim ata u shtangën nga shkatërrimi i rreth 80% të qytetit ndërsa tregoi dhe raste sensibilizimi se si mbi 100 njerëz u mblodhën brenda ditës për tu futur nën rrënoja për të kërkuar për të mbijetuar.

"Dje ishin grumbulluar mbi 100 persona dhe mezi prisnin të futeshin brenda që të nxirrnin njerëz. Ishte një gatishmëri e jashtëzakonshme. Ajo të jepte shpresë, që po kërkonin jetë njerëzish. Ishte e papërshkrueshme.

Këtu sensi i kohë dhe i jetës është tjetër gjë nga ajo që kemi në jetën tonë të përditshme. Ka patur raste që në pamundësi për të nxjerrë familjarët e tyre, nxirrnin dikë tjetër që kishin mundësi. Kur futeshin për të shpëtuar një jetë, rrezikonin jetën 30 persona të tjerë, pasi futeshin të gjithë nën rrënoja," tha ai.