Kosova drejt Euro 2024? Lajmi i mirë vjen nga…Bjellorusia

Lufta në Ukrainë mund të sakrifikojë edhe Bjellorusinë. UEFA po planifikon përjashtimin e kësaj kombëtareje nga eleminatoret e Euro 2024, çka do të thotë se sfida me Zvicrën e planifikuar për t’u zhvilluar në Serbi, mund të mos luhet dhe në lëtë mënyrë, Xhaka apo Shaqiri dhe shqiptarët e tjerë të kësaj skuadre mund të evitojnë udhëtimin në një vend ku mund të përballen me probleme të mëdha.

Pas më shumë se një muaji do të nisë faza eleminatore dhe sipas “The Guardian” Bjellorusia mund të përjashtohet nga UEFA, pasi presioni po rritet ndaj UEFA-s nga kanale të ndryshme diplomatike që mbështesin hapur Ukrainën. Ditët e fundit, anëtari i Këshillit Evropian, George Foulkes i ka dërguar një letër kreut të UEFA-s, Aleksandar Ceferin për të parë mundësinë e përjashtimit të Bjellorusisë për shkak të mbështetjes që po i jep Minsku, Moskës në ofensivën që po kryen në Ukrainë që prej një viti.

“Bjellorusia shërbeu si bazë për pushtimin e Rusisë në Ukrainën veriore shkurtin e kaluar dhe i ka ofruar Rusisë pajisje ushtarake, ka lejuar rekrutët e mobilizuar rusë të stërviten në territorin e saj dhe ka shërbyer si pikë nisjeje për sulmet me raketa në Ukrainë. Është e vështirë të shihet se si këto veprime nuk meritojnë një ndalim gjithëpërfshirës të pjesëmarrjes së Bjellorusisë në kualifikueset e Euro 2024.

Komuniteti ndërkombëtar duhet të qëndrojë i bashkuar për këto çështje dhe prandaj shpresoj që UEFA do të rishqyrtojë pozicionin e saj në lidhje me këtë çështje”, shkruan Foulkes në letrën e tij.

Bjellorusia në kualifikimet për “Euro 2024” bën pjesë në Grupin I, së bashku me Zvicrën, Kosovën, Rumaninë, Izraelin dhe Andorrën. Kjo do të thotë se shanset që Kosova të renditet në vendin e dytë, të rriten ndjeshëm.