Guardiola i kërkon falje Gerrard dhe e pranon që bëri një koment “idiot”

Pep Guardiola përfshihet në një debat të ashpër në Angli në tentativë për të mbrojtur klubin e tij Manchester City nga akuzat për shkeljen e rregullave të fair play financiar. Pak orë pasi kishte deklaruar se nuk ishte ai fajtori për gafën e bërë nga Steven Gerrard në përballjen me Chelsean kur rrëshkiti duke humbur edhe titullin kampion, trajneri spanjoll bën një hap të madh pas.

“Më vjen turp nga vetja për atë që thashë sepse Steve nuk e meriton. Besoj vërtetë te pafajësia e klubit tim por nuk e përfaqësova në mënyrën më të mirë emrin e klubit me komentet e mija idiote.

I kërkoj falje, ia kërkova edhe personalisht por e komentova publikisht prandaj më duhet ta bëj edhe këtu. Më vjen shumë keq për të, bashkëshorten e tij Alex, fëmijët dhe familjen sepse ishte diçka idiote nga ana ime”.

Ndërkohë pak orë më parë kishte deklaruar: “Nuk e di nëse ne jemi fajtorë që Gerrard rrëshkiti në Anfield kundër Chelseat. A ishte ai fajo jonë? Kam respekt për Gerrard por ai moment na përket ne, është joni”.