Bayern e zgjidh me Koman, PSG zgjohet vonë me Mbappe (VIDEO)

E zgjidhi Kingsley Koman një ndeshje që foli kryesisht me gjuhën e Bayernit të Mynihut. Kampionët e Gjermanisë dominuan PSG dhe u larguan me fitoren minimale nga “Parc de Princes” ku mbollën shumë e korrën pak.

90 minuta spektakolare në Paris ku skuadra e Julian Nagelsmann asfiksoi ekipin vendas që e nisi ndeshjen me Messin e Neymar që nga minuta e parë dhe Mbappe në stol për shkak të një dëmtimi.

Gjatë pjesës së parë PSG nuk e shënjestroi asnjëherë portën e miqve dhe kjo tregon gjithçka për mënyrën se si rrodhën ngjarjet ku Koman nga e djathta e sulmit ishte njeriu më frymëzues i bavarezëve.

Pikërisht francezi gjeti një gol spektakolar falë koordinimit perfekt duke i dhuruar avantazhin e merituar Bayernit që u ndal edhe nga shtylla e Chupo Moting ndërsa në krahun tjetër, Mbappe i aktivizuar në pjesën e dytë ndryshoi marsh për PSG por ishte shumë i izoluar mes mbrojtësve bavarezë të udhëhequr nga De Ligt.

Barazimi i Mbappe në minutën e 82 u regjistrua si i tillë vetëm për pak sekonda sepse sistemi VAR anuloi aksionin për vetëm pak cm pozicion jashtë loje. Ndeshja u mbyll me një avantazh domethënës në këtë pjesë të parë të duelit mes PSG dhe Bayern Munchen e tashmë në aktin e dytë për parizienët gjithçka do të rinisë nga Mbappe, lojtari që ndryshoi tërësisht tablonë e ndeshjes së Parisit.