Vjen në “jetë” Ferrari i ri, shikoni pamjet spektakolare të njëvendëshes nga Maranello

Ferrari prezanton njëvendëshen e sezonit të ri. Bëhet fjalë për makinën SF-23 të projektuar nga inxhinierët në Maranello të cilën do ta drejtojnë  Charles Leclerc e a Carlos Sainz Jr.

Skuadra italiane i ka idetë e qarta me titullin që mbetet objektiv kryesor pasi nuk arrin të triumfojë që në vitin 2007. Kjo është krijesa e drejtuesit të ri të skuadrës, Frederic Vasseur, i cili zuri vendin e italianit Mattia Binotto që u largua pas dy sezoneve të dështuara ku skuadra e kuqe u eklipsua nga sukseset e Red Bull-it. Risia e madhe është shtimi i fuqisë së “power unit” pasi LeClerc dhe Sainz presin një shtytje më shumë nga makina e re.

Makina e re Ferrari ka nën kofano një motor V6 me 16000 kuaj/fuqi. Risi është ngjyra e kuqe që ka një trajtë më të theksuar ndërsa në total, makina e re nuk ndryshon shumë nga ajo e sezonit të kaluar. Gjithsesi, ndryshimet e vogla janë të shumta në pothuajse çdo sektor të makinës që synon të jetë më e shpejtë dhe sigurisht më e besueshme.  

FIA ka vendosur që këtë sezon të imponojë rregulla më të rrepta lidhur me lartësinë e makinës që duhet të jetë 15 mm më e lartë, çka sjell humbjen e fuqisë aerodinamike. Ferrari ka mundur ta bëjë këtë modifikim edhe pse i dhimbshëm për ferraristët në Maranello pasi makina është kompozuar sezonin e kaluar dhe ndryshimet e mëdha ishin shumë të vështira.