Koka dhe Bllako flasin në gjyq: Akuzat e pasakta! Vendimi për incineratorin e Fierit me 22 shkurt

Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i arrestuar për çështjen e incineratorëve ka bërë akuza në gjykatë për një proces të padrejtë ndaj tij. Ai u largua nga seanca për shkak të problemeve shëndetësore, ndërkohë që qëndrim mohues për akuzat mbajti edhe ish-deputeti Alqi Bllako. Të akuzuarit e tjerë për incineratorin e Fierit pritet të shprehen para gjykatës në seancën tjetër më 22 shkurt.

Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, nuk i kurseu akuzat për një proces të padrejtë ndaj tij teksa fliste para trupës gjykuese të dosjes së incineratorit të Fierit.

Edhe pse hyri në qeveri si përfaqësues i LSI, Koka bëri akuza edhe për deputeten Monika Kryemadhi. Menjëherë sapo avokatët mbrojtës komentuan akuzat e ngritura nga SPAK për përfshirjen e Kokës në incineratorin e Fierit, ky i fundit iu drejtua prokurorisë dukë këmbëngulur se nuk ka shkelur ligjin.

Lefter Koka: Nuk e kuptoj si prokuroria mund të marrë parasysh kallëzimin e Monika Kryemadhit, dhe të mjaftohet duke arrestuar qytetarë të pafajshëm. I kam shërbyer vendit me besnikëri dhe në mënyrë ligjore. Mirë që unë u dogja dhe do dënohem por gjykata duhet të tregojë dinjitet dhe mos të arrestoje qytetarë të pafajshëm.

Pasi shprehu këto fjalë Lefter Koka braktisi seancën gjyqësore për shkak të komplikacioneve me shëndetin.

Të njëjtin qëndrim mbajti dhe ish-deputeti socialist Alqi Bllako i akuzuar gjithashtu për aferën e incineratorëve. Që në nisje të fjalës ai u deklarua i pafajshëm.

Alqi Bllako: Kam kryer të gjitha peocedurat ligjore. Akuza e ngritur për korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë nuk qëndron pasi në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm të ministrisë së mjedisit, nuk mund të gjykohem si zyrtar i lartë. Gjykata duhet të urdhërojë prokurorin për skatësinin e akuzës sepse pozicioni i sekretarit të përgjithshëm, nuk mund të cilësohet si zyrtar i lartë.

Kërkesa e mbrojtësve ligjore të ish-ministrit Koka për bashkimin e dy çështjeve për incineratorin e Elbasanit dhe Fierit, ra poshtë pasi sipas avokatit Ardian Leka çështjet nuk mund të gjykohen bashkë.

"Është rrëzuar nga një gjykatë e mëparshme, kjo ishte arsyeja kryesore që nuk u pranua. Nuk kishte vend për pranim, ishte gjykuar një herë."

18 personat e tjerë që janë marrë të pandehur për incineratorin e Fierit do të shprehen në seancën e datës 22 shkurt në orën 9.

SPAK ka kërkuar që dosja të klaojnë për gjykim pasi ka prova të mjaftueshme për përfshirjen e të pandehurve në korrupsion dhe shpërdorim detyre.