Skandali/Polici bën vetëgjyqësi, dhunon të riun që akuzonte se tentoi t’i djegë klinikën e gruas (PAMJET)

Një efektiv i policisë së Shtetit është përfshirë në skandal vetëgjyqësie përmes dhunës në Pogradec. Polici, Gjergji Riza, ka dhunuar një të ri për të cilin dyshonte se kishte tentuar ti digjte klinikën e bashkëshortes. Efektivi tashmë i pezulluar dhe vendosur nën hetim, mësohet se ka probleme të theksuara me kujtesën për të cilat kishte kërkuar daljen në KEMP.

Personi me rreth në këtë pamje që po dhunon një të ri është një efektiv i Policisë së Shtetit.

Është identifikuar si Gjergji Riza.

Skandali i dhunës nga punonjësi i Policisë është shënuar në ambientet e një pallati në Pogradec, ku e gjitha është filmuar nga një kamera sigurie.

I riu që dhunohet është identifkuar si Klajdi Norolli, që më parë ka mbajtur edhe emrin Ervin.

Punonjësi u Policisë dyshonte se ky u fundit më datë 22 janar të këtij viti kishte tentuar ti digjte klinikën dentare në pronësi të bashkëshortes.

Punën e strukturës që përfaqëson për të zbardhur përgjegjësinë e dyshuar të të riut, polici Gjergji Riza duket se ka zgjedhur ta bëjë në mënyrë private.

Ai e ka lokalizuar atë brenda një pallati disa ditë më vonë, ku siç duket e qëllon me grushte dhe shkelma.

Pas publikimit të videos, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, për nisjen e menjëhershme të hetimit disiplinor, për këtë punonjës policie, për shkelje të rëndë.

Edhe pse zyrtarisht nuk thuhet asgjë, burime bëjnë me dije se oficeri i policisë Gjergji Riza mësohet se prej disa kohësh ka shfaqur probleme me kujtesën.

Për këtë arsye shëndetësore ai mësohet ka kërkuar të dalë në KEMP, por kjo kërkesë ende nuk është miratuar.

I riu i dhunuar ndërkohë mësohet se është arrestuar disa ditë më parë dhe ndodhet në burgun e Drenovës për shpërndarje të lëndëve narkotike.

Vitet e fundit në vendin tonë janë denoncuar raste të rënda të dhunës policore, ku disa raste tragjike kanë përfunduar edhe me viktima.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.