Ura e Zogut, Europa Nostra në Milot, ekspertët: Duhet shpëtuar, është monument i rëndësishëm
Për herë të parë që kur u shpall monument në rrezik, ekspertët e Europa Nostra kanë vizituar urën e Zogut. Arkitektët dhe inxhinerët e organizatës panë nga afër dëmtimet e Monumentit të kulturës ndërsa thanë se do të ndihmojnë në hartimin e një plani që mund ta shpëtojë urën.
Pasi e shpallën si një nga 7 monumentet e kulturës më të rrezikuara në europë, një ekip arkitektësh dhe inxhinierësh nga Europa Nostra ka mberriur në Shqipëri për të parë urën e Zogut në milot, e cila ka pësuar shembje të mëdha prej 3 vitesh.
Së bashku edhe me arkitekt dhe inxhinierë shqiptarë ata janë duke parë mundësitë e përforcimit të saj dhe kryerjen e një analize të thellë për projektin e restaurimit.
Pedro Ponce de Leon arkitekt Europa Nostra: "Sot është vizita jonë e parë për të parë gjendjen e urës, dhe duhet shumë punë për tu bërë, për të shpëtuar këtë infrastrukturë të bukur. Në fund të studimit dhe rezultateve të inspektimit do të kemi një takim me ministrin e Kulturës për të gjetur një mundesi për mos shembjen e saj, e më pas restaurimim e këtij monumenti kulture".
Ura e Zogut është ndërtuar në vitin 1927 dhe gëzon statusin e Monumentit të Kulturës së kategorisë së parë.
Ajo është e veçantë për shkak të harqeve të saj, ndërsa në kohën e ndërtimit, ka qenë një prej rrugëve kryesore që lidhnin Shqipërinë e Mesme me atë të Veriut.
Njëra nga këmbët e urës është zhytur në shtratin e lumit më shumë se 2 metër, duke rrezikuar shembjen e saj, ndërsa institucionet vendase nuk kanë marrë asnjë masë deri më tani.