Kishte fshehur në autobus 48 mijë €, procedohet penalisht shoferi në Muriqan

Një 35 vjeçar është proceduar penalisht pasi iu gjetën të fshehura 48 mijë euro në autobusin që drejtonte.

Shërbimet e Policisë Kufitare në PKK Muriqan, në kuadër të planit të masave të hartuar nga DVKM Shkodër, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, në dalje të Republikës së Shqipërisë, kanë ndaluar për kontroll të detajuar autobusin e një linje transporti ndërkombëtar, me drejtues shtetasin R. A.

"Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë Kufitare kanë gjetur 48 100 euro, të cilat drejtuesi i automjetit, shtetasi R. A., i kishte fshehur në një çantë, me qëllim që të mos i deklaronte sipas përcaktimeve ligjore. Shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale," njoftoi policia.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Shkodër referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin R. A., 35 vjeç, banues në Shijak, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave ose i sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.