Turqia e gjunjëzuar, kreu i “Vatras”: Janë mbi 13 milionë njerëz në qiell të hapur. 10 qytete në kaos, pa bukë e pa ujë!

Turqia dhe Siria u goditën të hënën nga dy tërmete të fuqishme në një hark të shkurtër kohor,

Tërmetet 7.8 ballë lanë të vdekur deri më tani rreth 5 mijë persona dhe me mijëra të tjerë të plagosur, teksa operacioni i kërkim-shpëtimit vazhdon që prej orëve të para të ditës së djeshme, ndërsa nga ora në orë shpresat për të mbijetuar nën rrënoja sa vjen e zbehet.

Për të mësuar më shumë me atë se si po përjetohet në këto orë kjo ngjarje tragjike që ka ngritur në këmbë gjithë botën, në emisionin “Ditë e re” në RTV Ora me lidhje skype i të ftuar ishte Kryetari i shoqatës "Vatra" të shqiptarëve në Stamboll, Bora Zukali.

“Turqia është një vend që i njeh tërmetet, pasi goditet shpesh nga to. Por dëmet janë shumë të mëdha. Ka mbi 12 mijë ndërtesa të shkatërruara, rrugë të bllokuara, energjia është ndërprerë në 10 qytetet e goditura nga ky tërmet.

Janë mbi 13 milionë njerëz në qiell të hapur që nuk dinë ku të shkojnë. Në fshatra asnjë ndoihmë nuk ka vajtur akoma. Janë vënë në dispozicion fusha sporti për akomodimin e tyre.

Temperaturat janë të ulëta, bora po bie ende atje, ndërsa njerëzit kanë frikë për të ndenjur tek banesat e tyre, por po rrinë në makina, apo qendrat shtetërore. Situata është kaotike.

Ndihma kanë ardhur nga të gjitha vendet, ndërsa operacionet e shpëtimit vazhdojnë. Por njerëzit vazhdojnë t’i nxjerrin me lopata dhe me duar dhe ç’të munden njerëzit nën rrënoja. Por e vështirë është edhe fakti se atje nuk ka as bukë dhe as ujë”, u shpreh ndër të tjera kreu i “Vatras” në Stamboll, Bora Zukali.