PD ende në “ajër”, Celibashi firmos të mërkurën për emrat e PS, PSD dhe PL

Komisioni Qendror i zgjedhjeve, ende nuk e ka gjetur përgjigjen se cila nga dy grupimet e Partisë Demokratike do të paraqesë anëtarë në komisionet zonale të administrimit të zgjedhjeve.

Në mbledhjen e së mërkurës parashikohet miratimi i listave të paraqitura prej Partisë Socialiste dhe asaj Social Demokrate, si pjesë e mazhorancës, ndërsa nga opozita projektvendimi është gati për Partinë e Lirisë së drejtuar nga Ilir Meta.

Megjithatë në njoftimin publik nuk është parashikuar një draft vendim për emrat e dorëzuar nga Enkelejd Alibeaj apo Sali Berisha. Kujtojmë se pak ditë më parë Celibashi kërkoi gjetjen e një zgjidhje, duke paralajmëruar deri në mos regjistrim, çka do të bënte që emrat e selisë blu për kryetarë dhe këshillat e bashkive të konkurrojnë vetëm në koalicion.

"Sa nuk është vonë, gjithkush në pikpamje institucionale apo politike të japi kontributin e vet që kjo çështje të zgjidhet ashtu siç duhet të zgjidhet. Po e them hapun ne nuk duhet të bëjmë sikur ska ndodhur asgjë, nëse partia kryesore e opozitës, mundet dhe të mos rregjistrohet," tha Celibashi.

Shkak për këtë situatë është situata me vulën e Partisë Demokratike, ku Sali Berisha ka vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë në favor, por pa u pasqyruar në regjistrimin e partive ku figuron ende emri i Lulzim Bashës.

Ky i fundit pas dorëheqjes ka firmosur kalimin e kompetencave të Enkelejd Alibeaj.

Çështja tashmë prej muajsh qëndron në Gjykatën e Apelit që deri më tani ka përcaktuar trupën që do ta shqyrtojë por pa përcaktuar një datë.