Korçë: Kërcënoi me armë një person, në pranga 49 vjeçari

Një 49 vjeçar është arrestuar nga policia në Korçë pasi pas një konflikti ka kërcënuar një shtetas.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, pas marrjes së njoftimit se në lagjen nr. 15, Korçë, në një lokal, një shtetas kishte kanosur me armë zjarri pronarin e lokalit, gjatë një konflikti midis tyre, kanë organizuar punën me qëllim kapjen e autorit të dyshuar. Si rezultat i veprimeve të mirëkoordinuara u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:     

- J. P., 49 vjeç, banues në Korçë, i dënuar më parë për veprat penale "Kanosja për shkak të detyrës" dhe "Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt". 

"Ky shtetas dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka kanosur me armë zjarri një 50-vjeçar, në lokalin e këtij të fundit.

Në vijim të veprimeve për këtë rast, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në banesën e 49-vjeçarit J. P., u gjetën një armë zjarri pistoletë dhe një sasi municioni luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale," njoftoi policia.   

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprat penale "Kanosja" dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit".