Arrestohen dy mjekë të QSUT, u kapën në 15 raste duke marrë para për të bërë skaner (Emrat)
Marrja e ryshfetit për kalimin e pacientëve pa radhë në skanerin ka çcuar në pranga mjekun e qsut Nazmi Metaliu dhe imazheristin Astrit Mansaku. Sipas përgjimeve të kryera ata akuzohen se në të paktën 15 raste, kanë marrë shuma parash nga qytetarët për të hyrë pa radhë në skaner.
Korrupsioni me skanerin në QSUT në Tiranë, është bërë shkak për arrestimin e një mjeku dhe imazheristit të cilët ishin në hetim nga prokuroria prej disa javësh. Të arrestuarit janë Nazmi Metaliu, mjek dhe Astrit Mansaku, teknik i Shërbimit të Imazherisë në QSUT.
Ata akuzohen se merrnin shuma monetare nga qytetarët në këmbim të futjes jashtë radhe në skaner.
Policia tha zyrtarisht në njoftimin e saj se dy të arrestuarit u merrnin para pacientëve, për të shmangur procedurën standarde spitalore, për bërjen e skanerit e cila ka radhë pritje.
Arrestimet kanë ndodhur si rezultat i një hetimi disamujor, të ndjekur me metoda proaktive, me qëllim konstatimin e rasteve të korrupsionit dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të abuzimit.
Gjatë hetimeve për aksionin e koduar "Skaneri" mësohet se vëzhgimet dhe përgjimi ambiental I kryer ka dokumentuar të paktën 15 raste kur mjeku Nazmi Metaliu, 63 vjeç, dhe imazheristi Astrit Mansaku 51 vjeç, u kanë marrë para qytetarëve për të shmangur radhën e hyrjes në skaner.
Policia e Tiranës tha se nga veprimet hetimore, ka rezultuar se mjeku dhe imazheristi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë ushtrimit të detyrës, iu mundësonin qytetarëve të ndryshëm, kundrejt shumave monetare, bërjen e skanerit, në kundërshtim me rregulloren e Spitalit.
Kjo rregullore përcakton kryerjen e skanerit sipas radhës, por për shkak të kërkesave të shumta nga kryeqyteti dhe rrethet e tjera, pritja në disa raste zgjat me muaj.
Për këtë rësye qytetarët detyrohen të ofrojnë shuma ryshfeti me qëllim kryerjen e skanerit në një kohë më të shpejtë me qëllim diagnostifikimin e problemeve që kanë dhe marrjen e mjekimit të nevojshëm.