Dy viktima në aksidente: Te Fresku makina godet 18-vjeçarin me motor, në Durrës 66-vjeçari del nga rruga

Dy persona humbën jetën në dy aksidente të ndodhura në Tiranë e Durrës. Në kryeqytet viktimë mbeti 18-vjeçari Enjo Saliaj që po lëvizte me një motorr elektrik kur u godit nga automjeti në zonën e freskut. Ndërsa në Durrës një 66-vjeçar nuk arriti ti mbijetojë dëmtimeve që mori pasi motoçikleta e tij humbi drejtimin dhe doli nga rruga.

Dy aksidente me pasojë vdekjen u regjistruan brenda pak orësh në Tiranë dhe në Durrës.

Në ngjarjen e ndodhur në kryeqytet viktimë mbeti 18 vjeçari Enjo Saliaj, i cili po udhëtonte me motorr elektrik kur u godit nga një automjet në zonën e Freskut pranë ISHP.

Ngjarja ndodhi rreth orës 23.20 mbrëmjen e të enjtes.

Burime nga policia thanë se motorri elektrik me të cilin po lëvizte i riu, i ka prerë rrugën automjetit me drejtues 19-vjeçarin Sildi Krashi. Dyshohet se automjeti ka qenë duke lëvizur me shpejtësi të madhe e për pasojë, përplasja ka qenë fatale për drejtuesin e motorrit.

Enjo Saliaj ka marrë dëmtime të rënda në trup, kryesisht në pjesën e gjymtyrëve dhe ka humbur jetën rrugës për në spital.

Menjëherë pas ngjarjes, policia ka arrestuar shoferin e makinës, shtetasin Sildi Krashi, ku rezultoi se mjeti i përfshirë në aksident ishte në pronësi të një shtetasi tjetër.

Sipas policisë, 19 vjeçari rezultoi se kishte leje drejtimi dhe rezultoi negativ në testin e alkoolit, megjithatë është arrestuar dhe çështja i është dërguar për vlerësim prokurorisë.

Në aksidentin tjetër të ndodhur në Durrës humbi jetën 66 vjeçari Qemal Tabaku. Policia tha se ngjarja ndodhi rreth orës 09:00, në fshatin Jubë, ku viktima ka qenë duke drejtuar motomjetin, dhe ka humbur kontrollin.

Për pasojë, motomjeti ka dalë nga rruga ku 66-vjeçari ka marrë dëmtime dhe si pasojë ka humbur jetën.