Magjistari i Football Manager, “Jose Mourinho” i Francës

Quhet Will Still dhe emri i tij po lakohet gjithmonë e më shumë pas barazimit të Reims kundër gjigandëve të PSG. Që prej uljes së tij në stolin e skuadrës modeste, belgu me origjinë angleze nuk ka humbur asnjë ndeshje si në Ligue 1 ashtu edhe në Kupën e Francës.
12 ndeshje, 6 fitore dhe po kaq barazime. Deri këtu nuk ka asgjë të çuditshme por nëse shtojmë faktin që ai nuk është një trajner profesionist, madje u zbulua falë talentit të tij në lojën Football Manager, atëherë historia e suksesit merr një kuptim të çuditshëm.
“Kaloja shumë orë me lojën Football Manager, që nga 10 e mëngjesit dhe deri në 4 të mëngjesit tjetër. Luaja vetëm me West Ham ndërsa më vonë mora drejtimin e një skuadre të vërtetë, por loja më ndihmonte shumë si të rreshtoja ekipin. Bashkë me vëllain tim, në Football Menager kujdeseshim që çdo detaj i skuadrës të ishte perfekt, që nga stërvitja dhe deri te ndeshjet zyrtare.
Nëse dikush do të më kishte thënë se do të isha trajner i një skuadre në Ligue 1 që në moshën 30-vjeçare, do ta kisha goditur në fytyrë. Ideja që një ditë do të luaja kundër një skuadre ku aktivizohen Neymar, Kylian Mbappe, Sergio Ramos e Marco Verratti nuk më kishte shkuar kurrë në mend dhe sot po ta mendosh është një çmenduri”.
Për faktin që ai nuk ka një liçencë profesionisti, klubi i Reims është detyruar të paguajë një gjobë prej 27 mijë eurosh për çdo ndeshje që ulet në stol por kjo pak rëndësi ka sepse Still po bën mrekullinë me një nga skuadrat më modeste të Ligue 1.
