Ronaldo përpara prokurorëve, mund të rëndojë pozitën e Juventusit
Nga OraNews Përditësimi i fundit 1 Shkurt 2023, 16:45

Cristiano Ronaldo do të dëgjohet nga prokurorët e Torinos për çështjen e pagave të fshehta të Juventusit në kuadër të hetimeve për dosjen “Prisma”.
Lajmin e bën të ditur “Corriere Dello Sport” që thekson se bëhet fjalë për periudhën kur sulmuesi ishte pjesë e bardhezinjve në vitet 2018-2021.
Është vetë Cristiano Ronaldo që ka kërkuar të flasë me hetuesit pasi pretendon që Juventus i detyrohet ende 19.9 milionë euro të cilat klubi ia premtoi se do t’ia jepte nën dorë për largimin e parakohshëm dhe prishjen e kontratës.
Në këtë aspekt, dëshira e portugezit mund të rezultojë kyçe për të vendosur me “shpatulla pas murit” Juventusin që rrezikon një dënim tjetër edhe nga drejtësia sportive.
