“Tirana pikë kthese për mua, por kohët e fundit jam trembur shumë”. Zaniolo i kërkon falje Romës

Nicolo Zaniolo është padyshim njeriu më i përfolur i merkatos së dimrit. Sulmuesi italian i Romës, sot jashtë çdo projekti, do të stërvitet i veçuar nga skuadra dhe nuk do të luajë deri në fund të sezonit. Ky është vendimi i marrë nga klubi dhe trajneri Jose Mourinho, pasi ai shprehu hapur dëshirën për t’u larguar duke mos u paraqitur në stërvitje.
Gjithsesi, tashmë që merkatoja është mbyllur dhe ai duhet të qëndrojë në skuadrën aktuale, bën një hap të madh pas me një letër publike ku u drejtohet tifozëve dhe klubit duke kërkuar riintegrimin.
“Janë shkruar e thënë shumë gjërat ditën e fundit ku shumë prej të cilave nuk janë të vërteta. Mbërrita në Romë si i panjohur dhe romanistët më pritën si njërin prej tyre. Më transmetuan besim, kurajo dhe mbështetje në momentet më të errëta e të tmerrshme.
Në Tiranë me atë gol të shënuar besoja se ktheva pas gjithë atë besim që m’u dha. Gjatë muajve të fundit kam kaluar momente të vështira pasi nuk arrija të kuptoja cila ishte e ardhmja ime profesionale. Për herë të parë pata frikë për familjen time dhe u ndjeva tërësisht i braktisur. E ardhmja është në duart tona, unë po e shtrij dorën time dhe vihem në dispozicion të familjes me emrin Roma”.
