Bulqizë, të rinjtë kapen me kanabis në makinë, dy në pranga i treti ia mbath

Dy persona janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim në Bulqizë pasi në makinën me të cilën lëviznin u gjetën lëndë narkotike kanabis.

I riu që është shpallur në kërkim arriti tja mbathte kur policia ndaloi mjetin.

"Shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në inteligjencën informative, organizuan punën dhe  si rezultat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: 

-E.D., 23 vjeç; A.L., 24 vjeç,  banues në Bulqizë si dhe u shpall në kërkim shtetasi A.S.

Shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit me të cilët udhëtonin shtetasit e lartëpërmendur, dhe shtetasi A.S., ka arritur të zbresë dhe tu largohet kontrollit të shërbimeve të policisë," njoftoi policia.

Po gjatë kontrollit në automjet u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike canabis sativa e ndarë në doza gati për shitje.

Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasit e lartëpërmendur në bashkëpunim me njëri tjetrin shpërndanin lëndë narkotike në disa zona të qytetit të Bulqizës.  Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprime të mëtejshme.