Asnjë gjurmë nga ikonat/ Në 30 vite janë trafikuar 2200 vepra arti. “Shkupi po i merr, po tonat kur do na i kthejnë?”

Qeveria shqiptare ka evidentuar rreth 2 mijë e  200 vepra arti të zhdukura në 30 vitet e fundit dhe sipas Ministrise së Kulturës ka një marrveshje me Interpolin për identifikimin e tyre. Por sipas opozitës, deri tani nuk është kryer asnjë hap për kthimin e ikonave në vend.

Opozita ka kërkuar shpjegime nga Ministria e Kulturës për veprat e artit të trafikuara në Maqedoninë e Veriut . Gjatë shqyrtimit të kthimit të 27 ikonave të vendit fqinj, në Komisionin e Ligjeve, deputetja demokrate Dhurata Çupi tha se identifikimi është detyrë e qeverisë.

Çupi: “Maqedonia sa detyrohet për tek ne? Ne i detyrohemi Maqedonisë 27 vepra arti për t'ja kthyer. A kemi ne vepra arti të trafikuara në Maqedoni? Kemi informacion për këtë?”

Zv. Ministrja e Kulturës, sqaroi se evidentimi për ikonat maqedonase, është bërë nga vetë Ministria e Kulturës dhe po të njëjtën proçedurë ndjek dhe vendi fqinj.

Meri Kumbe: “Sa i takon objekteve të vjedhura nga ne, të humbura, të trafikuara legalisht që ne i kemi shpallur te objektet e humbura, është kopetencë e shteteve të tjera që operojnë në territorin e tyre zyrtar. Kapja e objekteve të veprave të artit jashtë territorit zyrtar  të Republikës së Shqipërisë, nuk është kopetencë e shtëtit Shqiptar”

Në 14 nëntor gjatë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, ministrja e Kulturës së Maqedonisë së Veriut, njoftoi se pjesë e marrëveshjes së bashkëpunimit është edhe kthimin e ikonave që në mënyrë të paligjshme kanë dalë nga shteti maqedonas.