32 vite me penel në duar, në punimet e Spartak Kasulit dominojnë peizazhet
Spartak Kasuli është një piktor i cili iu rikthye pasionit të tij pas disa vitesh në emigrim. Artisti nga Korça numëron mbi 200 punime teksa thotë se artit të sotëm i mungojnë mesazhet.
32 vite me penel ndër duar.
Piktura për Spartak Kasulin është pasion e punë, pjesë e pandarë e jetës.
Në mbi 200 punime, në studion e tij dominojnë peizazhet.
“Pikturat e mia të preferuara janë peisazhet, pasi arti i kavaletit është ajo që mua më mban dhe shpreh atë që duhet si për artdashësit, ashtu dhe për veten time. Vlera e vërtetë dhe shpërblimi moral që kam pasur në qytet ka qenë tepër i madh. Në karrierën time të gjatë janë rreth 240 punime dhe për momentin kam vetëm 37”, thotë ai.
Ndër pikturat, Tirana e një dite me shi është e preferuara e tij.
“Unë aty kam gjetur një diçka që nuk e kisha hasur diku tjetër dhe këtë pikturë kam vendosur ta mbaj pasi nuk mun dta përsëris dot më”, shprehet artisti.
Krahason artin e ditëve të sotme me atë të viteve të shkuara e thotë se sot arti jo gjithmonë përcjellë mesazhe ndërsa bashkëpunimet mes piktorëve e bisedat ndërmjet tyre mungojnë.
“Arti nuk po shpreh atë që duhet, qoftë thjesht edhe një mesazh të vetëm për vetë artistët. Do të dëshiroja që të kthehej sërish ajo kohë e klubit të artistave, e bashkëbisedimit të tematikave me njerëz të ndryshëm të pikturës, kulturës, muzikës”, shprehet piktori.
Shumë prej punimeve të tij, Spartak Kasuli ja ka dedikuar Korçës, qytetin në të cilin u rikthye për të ushtruar pasionin e tij pas disa viteve emigrim.
