555-vjetori i vdekjes së Heroit Kombëtar, studiuesi Muhaj: Figurën e Skënderbeut duhet ta shikojmë me sy kritik

Figura e Skëndërbeut duhet parë në një këndvështrim kritik. Ky ka qenë konstatimi i historianit Ardian Muhaj përgjatë instervistës me spikeren Katerina Hysenllari në studion e “OraNews”, në përkujtimin e ndarjes nga jeta të heroit.

555 vite më pas, Muhaj thotë se figura e Skëndërbeut është parë thjesht si një relike, pa kryer asnjë funksion korigjues apo orientues në shoqërinë dhe elitën shqiptare.

“Duket sikur e njohim Skëndërbeun, besoj se duhet ta shohim me pak sy kritik këtë.

Kemi një përshtypje sikur e kemi të qartë, e dimë dhe e vlerësojmë figurën e Skëndërbeut, por çështja është se kjo qartësi duhet të vihet në pikëpyetje për shumë arsye sepse është marrë si e mirëqënë dhe nuk është aktualizuar mesazhi i figurës së tij dhe rëndësia e modelit të heroit.

Dimë shumë, por nuk e përshtasim këndvështrimin, nuk marrim mësime, nuk arrijmë që ta funksionalizojmë  , të na shërbejë për një shoqëri më të mirë, për një kuptim më të mirë të vetvetes, pra si një relike pa një mesazh aktual, çfarë i thotë aktualitetit modeli i heroit?

Sa jemi në gjendje t’i përshtatemi?

Çfarë na ndan dhe pse jemi larg, se po i vumë përballë shohim shumë paaftësi për ta ndjek atë shëmbull”, u shpreh studiuesi Ardian Muhaj.