"Ligji nuk është për mua", Gjinushi “as po as jo” për mandatin e dytë në krye të Akademisë së Shkencave
Ndryshimet në ligjin për zgjedhjen e Kryesisë së Akademisë së Shkencave për Skënder Gjinushin lidhet vetëm me anëtarët e jashtëm.Gjinushi nuk pranon të flasë nëse do të kandidojë apo jo për herë të dytë në këtë post nëse ndryshimet do të miratohen.
Skënder Gjinushi nuk e pranon se ndryshimet në ligjin e Akademisë së Shkencave janë propozuar për ti dhënë atij të drejtën e një mandati të dytë në krye të institucionit.
"E kemi çuar për tu hapur rrugë anëtarëve të jashtëm. Kjo është arsyeja pse është ndërmarrë ai projektligj".
I pyetur nga Ora News, Gjinushi as e mohoi dhe as e pohoi nëse do ta shfrytëzojë këtë të drejtë që mund ti japë ligji i ri.
"Nuk është kjo tema e ditës."
Vendimi përfundimtar i mbetet parlamenit, tha Gjinushi, duke u munduar të heqë përgjegjësitë.
"Kuvendi merr vendimet që quan ai të përshtatshme."
Në Kuvendin e Shqipërisë është depozituar së fundmi projektligji për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë, i cili parashikon që kryetari mund të rizgjidhet për herë të dytë radhazi.
Ligji në fuqi, përcakton se “Kryetari, zëvendëskryetari, sekretari shkencor dhe drejtuesit e seksioneve mund të rizgjidhen në të njëjtin funksion për dy mandate, por jo radhazi”.
Mandati i Gjinushit përfundon në shtator të 2023 dhe mbetet të shihet nëse do të ketë ambicie dhe për një tjetër 4 vjeçar.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
