"E kemi në kurriz nga një gjeograf gjerman injorant", Aurel Plasari zbulon domethënien e termit Ballkan

Studiuesi i njohur, Aurel Plasari, në një bashkëbisedim me gjimnazistët më të mirë të historisë në Tiranë zbuloi domethënien e emrit Ballkan me të cilin është pagëzuar rajoni ynë.

Sipas tij këtë emërtim e kemi në kurriz nga një gjeograf injorant gjerman, i cilin me emrin e një mali emërtoi gjithë gadishullin.

Në terma shkencorë, rajoni ynë tha ai është Europa Juglindore.

Pyetje: Vura re se nuk preferoni të pëmendni termin Ballkan por Europë Juglindore, pse?

Plasari: Emri Ballkan është vendosur nga një budalla, një injorant. Gadishulli ku ne jetojmë në burime e vjetra të antikitetit quhej gadishulli ilirik. Në tekstet e Ptolemeut jepte një vargmal që përshkonte gadishullin që quhej Zinxhirët e Botës. Në mesin e shekullit XVIII, 1700 e ca shkel një gjeograf gjerman Zeune.

Midis të tjerave kërkon këtë vargmal që nuk e gjen. Te pjesa ku shkon drejt Vardarit është një vargmal i madh, jemi në kohën e Turqisë dhe ai pyet një nga shoqëruesit si quhet, i thotë Ballkan. Zeune ishte i bindur se ky ishte vargmali që përshkonte gadishullin që duhet ti vëmë emrin Ballkan.

Ballkan në turqisht do të thotë mal. Këtë i pari e kapi Faik Konica, i cili thotë se është çmenduri që merren seriozisht me këtë gjeograf injorant që nga mali që quhej mal i vuri emrin një gadishulli të tërë.

Mirëpo shkenca gjermane ka një mani, po e tha një gjerman ajo është e mbaruar. Unë e kam ndjekur në librin tim "Rrëmbimi i Europës", një nga esetë i kushtohet kësaj teme. Francezët dhe anglezët kanë rezistuar për një kohë të gjatë Europa Juglindore por dikur u imponua termi. Çfarë shkakton kjo sot, nuk është vetëm budallallëku.

Sot ne dëgjojmë që na thonë Europa dhe Ballkani. Ballkani qenka një gjë tjetër, nuk qenka Europë. Ai rajon që ne e quajmë Ballkan është Europa Juglindore. Studiuesit seriozë e quajë në këtë mënyrë. Është një term i rremë por në shumë fusha nuk bëjmë dot pa term të rremë. Por kur vjen puna në terma shkencorë ne jemi Europë Juglindore.

Edhe kryeministri Rama ka dashur të futet thellë në këtë diskutim dha këndvështrimin e tij ndërsa me humor shtoi se sipas Plasarit ata i paskan dhënë jetë "Malit të Hapur."

Rama: Për shkak të detyrës nuk përfshihem dot në këtë vorbull por ka dhe më tej se kaq, Ballkani Perëndimor. Kam pasur një debat lidhur me këtë me miqtë europianë duke u përpjekur të shpjegojë se ne jemi Europë, siç ka Europë Perëndimore dhe Lindore ka Europë dhe Juglindiore.

Nëse Ballkani është një term i vendosur nga budallallëku apo keqkuptimi i madh i një personi që i ka vënë vulën një rajoni, Ballkani Përëndimor është një elaborim i vendosur për të vendosur një vijë preferenciale mes kësaj ane dhe Turqisë. Po të gjendesh në një tryezë ku janë dhe turqit shikon se ka një trekëndësh, pjesa  europiane do Ballkanin Perëndimor,  pjesa jonë do Europën Juglindore, pjesa turke do Ballkanin.

Kur po shpjegonte Aureli Ballkanin, ne dmth paskemi bërë Malin e Hapur. Nuk është keq të hapim malin dhe të krijojmë një vijë ajrore që përputhet me tokën. Janë reth 100 korrierë këtu që do shpërndajnë fjalën që emrin Ballkan e kemi në kurriz nga një budalla.

Deklaratat u bënë në aktivitetin e zhvilluar në vigjiljen e 555-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, mbi të cilin thotë Rama, shumë është thënë e shumë është shkruar dhe i cili mbetet, sot e gjithë ditën, "më i gjalli ndër të gjallët", siç do të thoshte Imzot Fan S. Noli