Shkodrës i rikthehet Orkestra Simfonike pas 32 vitesh, premiera e parë në mars

Janë tingujt e orkestrës simfonike të Shkodrës, që rikthehet pas plot 32 vitesh në këtë qytet si një trupë e institucionalizuar.

Për një pjesë të artistëve është rivazhdim i një pune të ndërprerë në mes, e për të tjerë rrugëtim i ri si vetë mosha e tyre.

Formacioni orkestral që vjen me mbështetjen e Bashkisë Shkodër, do ta ketë premierën e parë në muajin mars.

Bardh Spahia: Është detyrim që ja kemi pasur qytetit tonë, brezave tanë të artistëve, muzikantëve të mrekullueshëm që askush më shumë se Shkodra si ka dhënë këtij vendi. Pavarësisht pengesave që kemi hasur, me rëndësi është të jemi bashkë. Mbështetja e bashkisë dhe e imja nuk ka për ti munguar kësaj trupe të mrekullueshme të artistëve që me shumë pasion dhe dinjitet do ta përfaqësojnë në nivelet më të larta muzikën e Shkodrës.

Jetmir Barbullushi: Gjithmonë arti është mbështetur nga lart dhe ju patët fatin dhe guximin që arritët të kuptonit se Shkodrës i duhej kjo dhe e bëtë. Bravo u qoftë!

Për profesor Barbullushin emocionet janë të shumta, pasi ai rikthehet në drejtimin e orkestrës që vite më parë ishte po pjesë e saj.

Jetmir Barbullushi: U desh një djalë prej Shkodre ti hapte rrugën pas 32 viteve me orkestërn simfonike të Shkodrës, të jam mirënjohës personalisht.

Lajmi i rikthimit të orkestrës simfonike, është për artistët shkodranë ngjarja më e bukur që ndodh në qytet këtë fillim viti.

Me Shkodrën lidhen fillesat e para edhe të Orkestrës Frymore teksa në vitin 1878, ndërsa vendi përjetonte kohëra lufte, në këtë qytet mendohej për artin dhe pikërisht në këtë vit do të themelohej Orkestra Simfonike.

Tashmë qyteti do ta ketë sërish këtë identitet muzikor për ta përfaqësuar denjësisht në skena.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.