Rrezik nga thonjtë me xhel? Dermatologët: Nuk ka vend për panik, por duhet kujdes
Trajtimi i thonjve me xhel po përdoret gjerësisht në Shqipëri vitet e fundit, por një studim mjekësor amerikan ka prezantuar se kjo metodë estetike mbart edhe rreziqe. Mjekët dermatologë këshillojnë që vajzat të bëjnë kujdes dhe pauza në këtë trajtim esetik për të shmangur problemet me ajrosjen e lëkurës.
Një hulumtim i ri amerikan ka zbuluar kohët e fundit se xheli në thonj e bën më të vështirë eliminimin e baktereve dhe mikroorganizmave të tjerë gjatë larjes së duarve.
Mjekja dermatologe, Anta Haxhiraj, thotë se ky problem nuk duhet nënvlerësuar por nuk ka vënd për panik pavarësisht se ky trajtim estetik po përhapet gjerësisht në Shqipëri vitet e fundit.
"Nuk ka vend për panik. Vërtet studimi thotë se ka një risk të shtuar por te ky studim në fund citohet se grupi i cili është marrë në studim janë qelizat e kafshëve, të minjve. Janë dy lloje qelizash të njerëzve dhe lëkurës tonë të rritur invitro por risku është minimal."
Mjekja këshillon që një muaj thoi të lihet i paprekur në mënyrë që të marrë ajër.
"Nëse për një periudhë tremujore ju aplikoni gjatë gjithë kohës xhelin te thonjtë është mirë që për një periudhë tjetër 1 mujore thoi të lihet të rritet normalisht pasi kështu pengojmë formimin e mykut të thonjve apo patologji të tjera të thoit."
Haxhiraj gjithashtu këshillon vajzat që para se të kryejnë trajtime të tilla të aplikojnë krem dielli në duar në mënyrë që të ulet rreziku nga drita ultraviolet.

