Përmbytje nga shiu apo njeriu? Prençi: Qeveria nuk bën punë por propagandë, dhe në Kosovë çoi njerëz të patrajnuar dhe pa mjete
Shemsi Prenci, ish-kreu i Emergjencave Civile, duke folur për problematikat e krijuara në vend nga moti i keq akuzon qeverinë se në vend të punës bën propagandë.
"Ka propagandë dhe nuk ka punë fare. Ministria e Bujqësisë nuk publikon regjimin e punës së hidrovoreve. Propaganda në 3D, inaugurimi i rrugëve të reja por pa mbaruar, kanalet e pastruara por pa pastruar, hidrovoret jo në punë por që propagandohet që janë në punë, reflektojnë më së shumti një sëmundje të rëndë që ka kapluar qeverisjen e vendit nga piramida deri në njësitë e qeverisjes vendore, kjo është e rrezikshme".
Në intervistën për Rtv Ora, ai tha se të dhënat tregojnë se nuk kemi pasur shi me intensitet të lartë, kemi pasur shi me intensitet mesatar por të shtrirë në kohë.
Dhe si e tillë, shton ai, situata do të kishte qenë lehtësisht e menaxhueshme.
"Niveli i ujit në Obot nuk është i lartë si herët e tjera.Nuk përbën rrezikshmëri për njerëzit dhe kafshët por përbën rrezikshmëri të lartë për kulturat bujqësore".
Si pjesë të propagandës ai pa edhe ndihmën ndaj Kosovës, që gjithashtu u godit nga përmbytjet.
"Politikisht ishte reklama dje që u bë në Morinë ku me dhjetëra makina të ushtrisë shqiptare dhe disa pompa të kapaciteteve të larta u nisën drejt Kosovës. Deri sot kanë kaluar 24 orë dhe asnjë nga strukturat e emergjencave civile të Shqipërisë nuk është futur në operacion në Kosovë çka do të thotë se atje kanë shkuar njerëz të patrajnuar dhe të papajisur me mjetet e domosdoshme për të ndërhyrë.
Do të ishte e udhës sipas meje që Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme që e ka në varësi që ekipet e kërkim-shpëtimit të Shkodrës, të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës që janë të trajtuar me projekte të BE. Janë më të trajnuarat në Ballkan. Ekipet më të mirëpërgatitur dhe mirëpajisur me kostume dhe me motobarka, gomone dhe alumini, të cilat operojnë në ujëra të cekëta dhe thella, sidomos në zonat e banuara.
Janë forca të trajnuara për kërkim-shpëtimin dhe evakuimin dhe edhe si shtet prezantoheshim në mënyrë dinjitoze për një ndihmë që po i japim Kosovës në një ditë të vështirë pasi vetë shteti i brishtë i Kosovës ka ardhur mbi 6 herë në Shqipëri me kapacitete operacionale dhe ndihma humanitare, të cilën ne nuk po e tregojmë realisht dhe në një rast të vetëm që na u dha mundësia. E dha natyra".
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
