Berisha: Yuri Kim gjithçka e bëri për dosjen dhe interesat e saj personale. Mos i besoni asgjë!
Në bashkëbisedimin e tij virtual me qytetarët, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, duo të komentonte sërish qëndrimet e fundit të ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim.
Berisha i ftoi ndjekësit e tij që të mos i besojnë më ambasadores Kim, pasi sipas tij, gjithçka që ka bërë e ka bërë për dosjen dhe interesat e saj personale.
“Unë mendoj se guvernatorja Yuri Kim ka shënuar në qëndrimet e saj, rekorde të zeza të papajtueshme me statusin e një diplomati. Ajo ka trajtuar Shqipërinë jo si një vend aleat i SHBA, por si një vend vasal. Nuk e gjykoj Yuri Kim në raport me Berishën, por me vendin tim. Ajo ka shkelur Kushtetutën e vendit tim, Kushtetutën e SHBA, ka shkelur Konventën e Vjenës mbi statutin e diplomatit. Po i lëmë thirrjet e saj për barin për demokratët, por po marr qëndrimin e saj të fundit ndaj SKAP-it të partisë. Ishte qëndrimi më absurd. Ishte qëndrimi më shkatërrues.
Ndërhyrja e Edi Ramës dhe Yuri Kim në një garë të paimagjinueshme për të zgjedhur kryetarin trevjeçar të atij organi, i dha atij organi një goditje mëshire. Çdo njeri që punon, që drejton, e ka shumë të qartë se suksesi i tij varet nga ekipi. Ai udhëheq, por pa ekip nuk ka sukses. Këta të dy, Edi Rama dhe Yuri Kim, në mënyrën më antikushtetuese, më të paskrupullt, ndërhynë dhe e bënë copë-copë atë organ.
Për çfarë? Për të prishur çdo frymë bashkëpunimi, për të krijuar një realitet pro-amerikan, pro-mafioz, pro-kështu, pro-ashtu. Pra, i dhanë një goditje mëshire SKAP-it të partisë. Ajo nuk mund të ndërhynte kurrë. Unë u them shqiptarëve se kjo është rruga e Republikës së Bananeve. Por Amerika ka hequr dorë nga Republikat e Bananeve. Është mafia e Sorosit. Nuk është Amerika e vlerave.
Ndaj ju ftoj që të mos i besoni asgjë asaj. Ajo, fatkeqësi e madhe që rastisi ambasadore në 100-vjetorin e marrëdhënieve tonë dhe punoi për të dëmtuar reputacionin e vendit të madh të lirisë. Dhe ia arriti. Gjithçka e bëri për dosjen e saj dhe interesat e saj personale.
Ajo mashtroi qeverinë e vet. Mblodhi gënjeshtrat e Edi Ramës, Bashës, Ballës, Veliajt dhe i transferoi. Të gjitha të fabrikuara nga mediat e Sorosit. Të gjitha i dolën gënjeshtra. Ajo bëri gjithçka që PD të mos ishte kjo që është. Ajo bëri gjithçka që të caktonte kryetarin e PD. Pasi i doli bomba e parave sovjetike me Bashën, u kthye te Alibasha. Të vazhdojmë rrugën tonë bazuar te vlerat dhe parimet”, u shpreh Sali Berisha.
Teksa u rikthye te aksioni politik, kreu i PD-së u shpreh se Opozita është përgatitur për t’u përballur me këtë regjim.
“Opozita nuk ka fjalë dhe premtime pa fund. Opozita ka veprime. Po të ndjekësh procedurat, ato janë veprime për herë të parë në Shqipëri. Opozita ka organizuar edhe protesta që kanë rezonuar në Shqipëri dhe mbarë Europën. Por opozita e ka deklaruar se ky regjim nuk lejon votën e shqiptarëve.
Në këtë kontekst, opozita është përgatitur për t’u përballur me këtë regjim. Kjo është një betejë për jetë a vdekje, për pluralizmin, për votën, për të gjitha. Unë kam bindjen se shqiptarët nuk do e pranojnë kurrë këtë gjë. Do i përgjigjen Edi Ramës me të cilat format që meriton për të mbrojtur pluralizmin, votën dhe demokracinë”, u shpreh kryedemokrati.
Në vijim Berisha theksoi se 2023-shi do jetë viti i fitores së demokratëve
“Viti 2023 do jetë viti i fitores së demokratëve, i fitores së shqiptarëve, viti i triumfit të vlerave në këtë vend dhe i fundit të këtij regjimi që bazohet në vjedhjen, krimin dhe drogën. Ju e shihni se në çfarë situate e kanë katandisur vendin. Urrejtja popullore ndaj tyre është e pakufishme. Përpjekja për të qëndruar me dhunë në pushtet, do dështojë. Unë kam bindjen më të madhe se flladi i lirisë, revolucioni demokratik, do përmbysë, do të arkivojë këtë regjim, që i kushtoi shqiptarëve pothuajse sa një diktaturë në disa aspekte”, u shpreh Berisha.


