PS përkujton demonstratën, Spiropali: 21 Janari 2011, një fakt i ri që bërtet për drejtësi
Sot shënohen 12 vite nga 21 janari ku mbetën të vrarë katër protestues gjatë demonstratës së dhunshme të Partisë Socialiste në atë kohë në opozitë para Kryeministrisë.
Katër demonstruesit e vrarë Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika u shpallën dy vite më parë “Dëshmorë të Atdheut” në 10-vjetorin e protestës në të cilën ata humbën jetën
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali në një deklaratë për mediat u shpreh se 21 Janarit 2011 është një fakt i ri që bërtet për drejtësi.
"E dinë të gjithë që në 21 janar nuk pati vdekje aksidentale, po vrasje shtetërore. Por publikimi dje i transkriptit të një audioje ku flitet për armë zjarri dhe gatishmëri për zjarr sapo protestuesit të kalojnë gardhin, ndërkohë që katër dëshmorët e asaj dite të zymtë u vranë shumë larg gardhit të Kryeministrisë, kërkon reagimin e menjëhershëm të organeve të drejtësisë.
Ky është një fakt i ri që bërtet shumë fort për drejtësi në emër të viktimave, jetimëve, familjarëve dhe vetë demokracisë së përgjakur në 21 janar.
Nuk jam këtu për të bërë politikë sot, në ditën e homazheve që sot do të bëhen me një dritëz të re shprese se drejtësia e re do të hapë menjëherë hetimin e çështjes.
Jam këtu për të thënë se ne nuk kemi hequr e nuk do të heqim dorë kurrë nga drejtësia për 21 janarin, por drejtësinë e kërkojmë nga drejtësia. Sot edhe më shumë sepse ato zëra nga shpella e vrasjeve të asaj dite tragjike, flasin vetë edhe më shumë se sa të gjitha fjalët tona." - tha Spiropali