“Ata burra i dolën zot Shqipërisë”/ PS e PD të ndarë në 103-vjetorin e Kongresit të Lushnjes

Në Lushnje janë mbajtur festime dhe homazhe për 103 vjetorin e Kongresit të Lushnjes. Presidenti Bajram Begaj tha se firmëtarët e kongresit e vendosën interesin kombëtar para interesit privat. Kongresi i Lushnjes konsiderohet si një nga ngjarjet më të mëdha të kombit shqiptar.

Edhe festimet për Kongresin e Lushnjes, i ndau partitë politike.

Presidenti i republikës Bajram Begaj dhe përfaqësues të Partisë Socialite, u mblodhën në Lushnje për të kremtuar 103 vjetorin e këtij kongresi.

Begaj pasi vizitoi shtëpinë Muze, theksoi faktin se fryma e bashkimit që perçoi Kongresi i Lushnjes për çeshtjen kombëtare është aktuale dhe sot.

Presidenti Bajram Begaj: "Kongresi i Lushnjes na frymëzon. Delegatët vunë interesat e përgjithshme mbi interesin personal, interesin e Shqipërisë mbi interesin e tyre, mbi mendimet e tyre të ndryshme apo qëndrimet e tyre të ndryshme"

Nga ana tjetër demokratët vendosën buqeta me lule në bustin e Ibrahim Shen Karbunarës, dhe Sulejman Delvinës.

Sajmir Koreshi, deputet i PD-së: "Sot parlamentin e shoh, shumë më të dobët se ajo që nisi këtu 103 vjet më parë, ku realisht në ditët më të vështira, ata burra i dolën zot Shqipërisë"

Kongresi i Lushnjes, është një ndër  ngjarjet më të mëdha të historisë së kombit tonë që u mbajt prej 21-deri më 31 janar të vitit 1920, në të cilin u miratua një akt kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë.