PL: Erion Veliaj të japë shpjegime në lidhje me inceneratorin e Tiranës

Kryetari i Komisionit të Mjedisit dhe Turizmit në Partinë e Lirisë, Roni Telegrafi deklaroi se Partia e Lirisë ka ngritur në një nivel të ri standartin e transparencës për punët publike dhe kontratat koncesionare të qeverisë shqiptare.

Me akuza të bazuara në fakte, tha ai, dhe jo në sulme politike. E nisur nga kjo PL i kërkoi kryebashkiakut Erion Veliaj të japë shpjegime në lidhje me inceneratorin e Tiranës,

“Në një investigim 6 mujor, përmes pamjeve filmike dhe me dron, u kemi bërë publike të gjithë qytetarëve, situatën e vërtetë se çfarë ndodh me koncesionin e inceneratorit të Tiranës.

Aty plehrat vetëm groposen, nuk trajtohen, nuk diferencohen, nuk riciklohen. Ndërkohë pagesat nga taksat e qytetarëve është e plotë, 29 €/ton, sikur të gjitha proceset e marra përsiper nga kompania të kryheshin.

E gjjthë Shqipëria e ka parë mashtrimin dhe vjedhjen e madhe. Por, asnjë shqiptar nuk ka dëgjuar ende një reagim nga qeveria shqiptare, nga Bashkia Tiranë, apo një institucion tjetër në lidhje me këtë situatë skandaloze me inceneratorin e Tiranës.

Bashkia Tiranë është institucioni përgjegjës për ndjekjen e kësaj kontrate, ndaj ne jemi këtu sot, duke i kërkuar publikisht kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj të japë shpjegime në lidhje me inceneratorin e Tiranës.

Saktësojmë, se Partia e Lirisë nuk është kundër pastrimit të qytetit. Por, ne jemi kundër vjedhjes së përditshme dhe mashtrimit të përditshëm që iu bëhet qytetarëve. Deri më sot jane paguar 54 milionë dollarë, të cilat janë para të djersës së shqiptarëve dhe duhet të gjithë të bëjmë çdo gjë, që mundi i shqiptarëve të mos shkojë në financim të veprave korruptiv”, u shpreh Roni Telegrafi.