Sot 12-vjetori i "21 janarit", Rama dhe familjarët homazhe për 4 viktimat

Sot shënohen 12 vite nga 21 janari ku mbetën të vrarë katër protestues gjatë demonstratës së dhunshme të Partisë Socialiste në atë kohë në opozitë para Kryeministrisë.

Si çdo vit, kreu i qeverisë i shoqëruar edhe nga familjarët e të afërmit e viktimave, por dhe anëtarë të kabinetit qeveritar, kanë vendosur lule në bulevard në vendet ku u vra secili prej 4 protestuesve.

Pas homazheve të kryera, Kryeministri Rama dhe familjarët e viktimave vijuan takimin pa praninë e mediave.

Më herët Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali në një deklaratë për mediat u shpreh se 21 Janari 2011 është një fakt i ri që bërtet për drejtësi.

Ajo tha se të gjithë e dinë që në 21 janar nuk pati vdekje aksidentale, po vrasje shtetërore.

Katër demonstruesit e vrarë Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika u shpallën dy vite më parë “Dëshmorë të Atdheut” në 10-vjetorin e protestës në të cilën ata humbën jetën.

Në kërkim të drejtësisë janë edhe familjarët e viktimave dhe shpresën për drejtësinë e munguar duket se ia japin institucionet e reja të drejtësisë.