Arrestohet Dani Alves, akuzohet për dhunë seksuale
Mbrojtësi brazilian Dani Alves që është njëkohësisht edhe futbollisti me më shumë tituj në historinë e futbollit, është arrestuar me akuzën e ngacmimit seksual. Ndalimi i tij është bërë në Barcelonë ku kishte shkuar për të dëshmuar rreth akuzave në dëm të tij ndërsa prangat iu vendosën në sallën e gjyqit.
Gjithçka nisi pas një denoncimi të bërë nga një vajzë e cila tha se ishte dhunuar seksualisht nga ish-mbrojtësi i Barcelonës në një lokal në zonën Sutton në datën 30 dhjetor. Tashmë i takon gjyqtarit të vendosë nëse mbrojtësi i Pumas do të lirohet apo do ta kalojë pas hekurave periudhën e gjykimit.
Vajza me identitet ende të panjohur, banuese në Barcelonë, deklaroi se 39-vjeçari e preku në vendet intime pa konsensusin e saj dhe ngjarja ndodhi në një diskotekë. Ajo e denoncoi fillimisht te personeli i diskos që aktivizoi menjëherë protokollin duke thirrur policinë. Stafi i lojtarit ka përgënjeshtruar akuzën duke hedhur poshtë madje edhe faktin se në atë orë dhe ditë ai të ketë qenë në zonën e Sutton.
