Ancelotti i “tërheq veshin” Rodrygo-s: Duhet të më përshëndesë kur zëvendësohet...

Te Real Madrid ka vetëm një shef, ai është Carlo Ancelotti. Trajneri italian që ka fituar gjithçka të mundshme me klubin “Los Blancos” është njeriu kyç në skuadër dhe klub e si të tillë duhet ta respektojnë të gjithë.

Kështu mendon presidenti Florentino Perez, lojtarët më të mirë të skuadrës si Benzema, Modric apo Kross, por jo braziliani Rodrygo. I zëvendësuar në ndeshjen e Kupës së Mbretit kundër Villarreal, lojtari “merengues” nuk e priti aspak mirë vendimin e italianit duke evituar përshëndetjen me të në momentin që la fushën.

Ancelotti nuk ngurroi të reagonte menjëherë në të nxehtë duke i kujtuar brazilianit se askush nuk mund të reflektojë mungesë respekti ndaj trajnerit. Në konferencën për shtyp pas sfidës së fituar me vështirësi 3-2, Ancelotti theksoi:

“Nuk më përshëndeti sepse besoj që harroi. Nuk shikoj arsye të tjera. I thashë që nuk duhet të harrojë të përshëndesë trajnerin kur zëvendësohet”.