VIDEO/ Dueli (miqësor) i “titanëve” dhuron spektakël dhe emocione në fushë mes Ronaldos e Messit
Mbyllet me spektakël, 9 gola dhe 2 realizime për Cristiano Ronaldon e 1 për Lionel Messin miqësorja Al Nassr-PSG e luajtur në Arabinë Saudite për Riyadh Season Cup.
Dueli i fundit i “titanëve” si për ironi të fatit nuk ishte një ndeshje me vlerë të madhe por një përballje simbolike që dhuroi emocione dhe fitoren statistikore 5-4 të francezëve të cilët luajtën në pjesën më të madhe me 3 yjet Messi-Neymar e Mbappe për të respektuar kundërshtarin.
Ronaldo shënoi dy gola, njëri prej të cilëve me 11-metërsh pasi u gjakos në përplasjen me Keylor Navas ndërsa Messi e gjeti rrugën e rrjetës që në minutën e tretë me një të majtë magjike që paralajmëroi se kjo do të ishte një ndeshje që do të justifikonte pritshmëritë, madje edhe sakrificën e ndonjë sheiku që pagoi deri në 2.5 milionë dollarë për ta parë sfidën nga stadiumi.
Mbyllet në këtë mënyrë një rivalitet që ka zgjatur rreth 15 vite, por ndoshta edhe jo pasi Lionel Messi ka ende mundësi për të kapur trenin arab sepse zërat për një ofertë të Al Hilal po bëhen gjithmonë e më këmbëngulës.
Në këtë ndeshje shënoi edhe një gol Kylian Mbappe, ndërsa Neymar gaboi një 11-metërsh. Cristiano Ronaldo u shpall edhe “Njeriu i ndeshjes” në takimin ku udhëhoqi një skuadër mikse me lojtarët më të mirë të Arabisë Saudite. PSG mori pjesë në këtë miqësore pasi arkëtoi plot 10 milionë euro.
