Rama për korrupsionin në Parlamentin Europian: Më vjen keq, por karma të vjen hakut

Në panelin Zgjerimi i Horizonteve Europiane gjatë Forumit të Davosit, ku ishte e pranishme dhe presidentja e Parlamentit Europian Roberta Metsola nuk kaloi jashtë vëmendjes edhe i ashtuquajturi "Katargate", skandali i korrupsionit që ka trondit Brukselin.

Kryeministri Edi Rama i pyetur për këtë çështje u përgjigj me një shprehje tipike angleze që në shqip mund të paralelizohet me thënien “çfarë do të mbjellësh do të korrësh”.

Rama: Për ne dhe për mua kjo nuk është shaka,  BE-ja është destinacioni i vetëm. Edhe nëse nuk do të arrijmë kurrë atje, pjesa e rëndësishme është se do të jemi në gjendje të kemi një shtet të ngjashëm me BE-në me institucione reale, llogaridhënie reale e kështu me radhë e kështu me radhë. Por, më vjen keq që duhet ta them, kur ky rast  korrupsioni doli në Parlamentin Europian, thashë karma të vjen hakut.

Në fillim të muajit dhjetor prokurorët belgë akuzuan nënpresidenten e Parlamentit Evropian, Eva Kaili dhe tre persona tjerë, përfshirë ish-pjesëtarin italian të Parlamentit Evropian, për korrupsion, spastrim parash dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.

Akuzat dyshohet se janë të lidhura me një fushatë të sponsoruar ryshfeti nga Katari, shtet në të cilin aktualisht është duke zhvilluar kampionati i futbollit, Kupa e Botës.

Prokuroria federale belge njoftoi sot se Eva Kaili , e arrestuar në kuadër të hetimit të "Katargate", do të duhet të qëndrojë në burg edhe për të paktën një muaj.

Ajo ndodhet në burgun Haren që prej datës 9 dhjetor të 2022.