Rama, kritika për integrimin: Operuam pacientin me sukses, e kuruam, por BE kërkonte që të vraponte

“Zgjerimi i horizonteve të Europës” ishte një prej paneleve ku ka marrë pjesë kryeminsitri Edi Rama në Samitin e Davosit, krah Presidentes së Parlamentit Europian, Roberta Metsola, Kryeministrit të Irlandës, Leo Varadkar dhe Presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama vuri në dukje se pavarësisht punës që vendet e rajonit bëjnë, për Bashkimin Evropian nuk është kurrë e majftueshme, e për këtë ai mori si shembull reformën në drejtësi.

Rama: Ne na u kërkua dhe morëm mbështetje për të bërë këtë pastrim të gjykatësve të korruptuar nga sistemi i drejtësisë.  9 nga 11 gjykatës u larguan se nuk justifikuan dot pasurinë. Dhe ne menduam se Bashkimit Europian do t’i pëlqente kjo gjë, por ata thanë ‘mirë, por nuk keni Gjykatë Kushtetuese”. Ne operuam pacientin me sukses, e kuruam, por BE e kërkonte që të vraponte.

Megjithatë, pavarësisht kritikave, Rama deklaroi se shtetet e Ballkanit Perëndimor janë në qendër të Evropës dhe nuk kanë ndërmend të shkojnë tjetërkund, por duke përjashtuar shqiptarët theksoi se ndikimi rus në rajon është i rrezikshëm.

Rama: Ballkani Perëndimor është në mes të Europës. Ne nuk kemi për të shkuar askund. Njerëzit në Bruksel duhet që të kuptojnë se jemi në një situatë kur mbështetja për integrimin po bie dhe kur Putin në disa prej shteteve të rajonit po shihet si hero.

Më pesimist për integrimin në Bashkimin Evropian, ishte Aleksandar Vuçiç, i cili vuri në dukej se në Bruksel i është thënë se Serbia nuk do të bëhet kurrë pjesë e BE-së dhe shkak i këtyre deklaratave është qëndrimi i Serbisë ndaj luftës në Ukrainë.