Shtyhet sërisht gjyqi për Saimir Tahirin, ish-ministri kërkon lirimin në Gjykatën e Elbasanit
Në gjykatën e Elbasanit është shtyrë sërish seanca për kërkesën për liri të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili kërkon llogaritje të kohës së paraburgimit.
Arsyeja këtë herë është se avokati i tij, Maks Haxhia, ka pasur një tjetër gjyq në Gjykatën e Durrësit në të njëjtin orar dhe e ka pasur të pamundur të jetë i pranishëm në seancën e parashikuar për t’u mbajtur këtë të martë.
Saimir Tahiri po vuan dënimin e formës së prerë, pasi është dënuar për shpërdorim detyre gjatë kohës që ai ushtronte detyrën e ministrit të Brendshëm.
Tahiri dërgoi rreth 4 muaj më parë një kërkesë Gjykatës së Elbasanit për njohjen e kohës së paraburgimit.
Më 4 shkurt të vitit 2022, Apeli i Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit pas një seance maratonë, dënoi Tahirin me 5 vite burg për “Shpërdorim të detyrës”.
Por me gjykim të shkurtuar dënimi u ul në 3 vite e 4 muaj burgim. Tahiri u dënua vetëm për "Shpërdorim detyre" duke i ‘shpëtuar’ akuzave “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal".

