Xhixho: Agjenda e qeverisë “Rama” për shpopullimin e vendit duhet ndalur një orë e më parë

Nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho deklaron se studentët janë të përjashtuar sërish nga lëmosha e asaj që kryeministri Edi Rama e quajti “pakoja e madhe” e ndihmës.

Përmes rrjeteve sociale, Xhixho thekson se përjashtimi i studentëve nga ndihma financiare ndodh kur mbi 70% e të rinjve e shohin të ardhmen e tyre jashtë vendit, kur 1 në 3 maturantë do të studiojë larg Shqipërisë, në një kohë kur ua kalojmë edhe ukrainasve për kërkesat për azil në vendet e BE-së, kur çdo ditë qindra të rinj shqiptarë rrezikojnë jetën në La Mansh.

Ndërkohë, thotë ajo, kjo qeveri e papërgjegjshme jep mesazhin që as i njeh studentët e as merr masa për t'ua lehtësuar sadopak jetën në këtë vend.

“Studentët, të përjashtuar sërish nga lëmosha e asaj që kryeministri e quajti “pako e madhe”.

Qeveria injoroi për të disatën herë kërkesën e tyre, duke mos i mbështetur financiarisht në kulmin e krizës së çmimeve.

Qeveria "Rama" nuk i mbështeti studentët as sa Kosova, me 100 euro në muaj.

Mazhoranca e rrëzoi me forcën e kartonit dhe arrogancën e pushtetit amendamentin që propozuam për Buxhetin e 2023, për t'u dhënë studentëve mbështetje financiare sa Kosova.

Studentëve sot u janë rritur qiratë nga 300-400 euro, kostot e transportit, veshjeve e librave. Jetesa e tyre sa vjen e bëhet më e vështirë.

E ndërkohë që qytetarët varfërohen, qeveria pasurohet. Kjo qeveri  mblodhi 500 milionë euro më shumë përmes taksave gjatë vitit që lamë pas.

Përjashtimi i studentëve nga ndihma financiare ndodh kur mbi 70% e të rinjve e shohin të ardhmen e tyre jashtë vendit, kur 1 në 3 maturantë do të studiojë larg Shqipërisë, në një kohë kur ua kalojmë edhe ukrainasve për kërkesat për azil në vendet e BE-së, kur çdo ditë qindra të rinj shqiptarë rrezikojnë jetën në La Mansh. Ndërkohë, kjo qeveri e papërgjegjshme jep mesazhin që as i njeh studentët e as merr masa për t'ua lehtësuar sadopak jetën në këtë vend.

Axhenda e qeverisë Rama për shpopullimin e vendit duhet ndalur një orë e më parë.

Paratë janë aty, por qeveria nuk zgjedh t'i ndajë me qytetarët, duke ua shpërfillur kërkesat studentëve. Paratë shkojnë për pagesat e inceneratorëve, për koncesionet e PPP-të nga të cilat përfitojnë direkt klientët e qeverisë”, shprehet nënkryetarja e PL-së, Erisa Xhixho.