25-vjeçari nga Fushë-Kosova i shpallur në kërkim në Gjermani për mashtrim, arrestohet në Morinë

Një 25 vjecar nga Fushë Kosova është arrestuar në pikën kufitare të Morinës me qëllim ekstradimi drejt Gjermanisë pasi ishte shpallur në kërkim për veprën penale "Mashtrim i rëndë".

Në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar Morinë, shërbimet e Policisë Kufitare, si rezultat i kontrolleve me përzgjedhje dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tirana, kanë ndaluar shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar J. D., 25 vjeç, banues në Fushë Kosovë.

"Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas ka rezultuar person në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjermane, pasi Gjykata e Bambergut, Gjermani, me vendimin e datës 14.06.2022, i ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprën penale "Mashtrimi i rëndë", parashikuar nga legjislacioni penal i Gjermanisë," njoftoi policia.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet gjermane, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi.