6 fshatra pa rrugë, revoltohen banorët: Bashkia dhe Qeveria, vetëm premtime, do bojkotojmë zgjedhjet
6 fshatra të Vlorës vuajnë nga mungesa e infrastrukturës, ndërsa u duhet të përdorin një rrugë totalisht të amortizuar. Banorët shprehen se rruga është një nga arsyet kryesore të emigrimit, ndërsa institucionet e shtetit nuk u kanë dhënë zgjidhje përveç premtimeve. Ata shprehen se kjo situatë mund t’i çojë në bojkotimin e zgjedhjeve.
Kjo rrugë lidhë 6 fshatra të Vlorës.
Ky segment është 20 kilometra i gjatë, fillon nga hyrja e fshatit Velcës dhe përfundon në fshatin më të largët që është Vërmiku.
Rruga e amortizuar është një nga sheqtësimet kryesore të banorëve, të cilët shprehen se nuk ka parë kurrë investime të mirëfillta.
“Rruga është për ibret, e shihni vetë, ç’mund të them më shumë. Ne e kemi bërë ndonjëherë edhe paratë tona, kemi paguar dhe kemi marrë mjetet”, shprehet një banor.
“Rruga është e amortizuar, pasi është vend i thyer dhe uji mbetet në të. Kanale nuk ka, erdhi njëherë bashkia, bëri sikur punoi dhe e lanë prapë pa rregulluar”, tha një tjetër banor.
Rruga është një nga arsyet se pse banorët po braktisin fshatrat.
“Ikën njerëzit, nuk ka më. Ngelëm vetëm ne pleqtë këtu. Nuk ke me çfarë të vesh dhe të vish deri në Vlorë”, thotë ai.
Banorët tregojnë se ndër vite kanë marrë premtime nga kryetarët e bashkisë, deputet të zonës, por që asnjëherë nuk janë realizuar.
“Kjo pjesa këtu është pak më e mirë se e ka shtruar bashkia para 15 ditësh, por të vish pas një muaji e shikon sei bëhet rruga”, shprehet një tjetër banor.
Të zhgënjyer si nga pushteti vendor dhe ai qendror, banorët nuk e përjashtojnë mundësinë e bojkotimit të zgjedhjeve të ardhshme.

