“E bukura e Devollit” që braktiset nga banorët, edhe Sinica “viktimë” e shpopullimit
Sinica është një nga fshatrat me potencial turistik në malësinë e Devollit. Edhe pse bukuritë karakteristike të zonës nuk i mungojnë, Sinica nuk i ka shpëtuar gjatë viteve të fundit largimin masiv të banorëve. E për të nxjerr në pah sadopak potencialin e Sinicës, ka menduar një prej banorëve i cili me investimin modest që ka bërë, ka tërehur vemendjen e shumë turistëve.
“E bukura e Devollit”, kjo është fjalia që përdoret gjerësisht nga banorët e zonës për fshatin e Sinicës.
E vendosur 22 km larg nga Bilisht, në Malsinë e Devollit, Sinica është nga ato fshatra karakteristikë me potencial të lartë turizmi.
Shtëpitë karakteristike me gur të gdhendur dhe dru, çatitë me pllaka guri, kalldrëmet e rrugicave të brendshme, urat e gurit deri tek kishat qindra vjeçare, është panorama që e përshkruajnë këtë fshat turistik.
Por si shumë fshatra të Shqipërisë, edhe Sinica gjatë viteve të fundit ka vuajtur largimin masiv të banorëve.
Nga 750 banorë që kishte dikur, sot aty jetojnë vetëm 10 familje.
“Fshati jonë dikur ka qenë një fshat shumë i madh, me rreth 750 familje, por që shumica prej tyre kanë ikur”, shprehet një banor.
Dajlan Hysolli një banor i fshatit vendosi që të ngre një bujtinë pavarësisht se bashkëfshatarët e tij ikën nga aty.
“Ideja e parë ka ardhur nga një mik i imi që kishte dëshirën të bënte fillimisht një lokal të vogël. Nisa të bëja këtë dhe ia dola, ndërkohë që isha në presionin “pse e bën?”, “kush do vijë këtu?”, por u tejkaluan të gjitha këto dhe jemi këtu ku jemi sot. Më së shumti këtu vijnë për gjëra që i konsumojmë vetë, dhe ne i ofrojmë të gjitha ushqimet që ne përdorim çdo ditë në tryezat e familjeve tona: lakrorin, pulën me presh që është një traditë e jona. Ka pasur kërkesa çdo ditë për prenotime”, thotë Dajlan Hysolli.
Sinica bashkë me Qytezën, Arrzën dhe Nikolicën janë destinacione premtuese për dimrin, ndërsa po projektohet një kompleks për ski, që pritet t’i kthejë shkëlqimin zonës.

