Shanë shqiptarët, FIFA dënon Serbinë me 50 mijë franga gjobë për fyerjet ndaj Xhakës dhe Shaqirit

Komiteti Disiplinor i FIFA-s, ka dënuar sërish Serbinë me 50 mijë franga, për fyerjet dhe sjelljen e gabuara të tifozëve, ndaj Xhakës dhe Shaqirit, gjatë Kupës së Botës, në ndeshjen Zvicër-Serbi.

Shanë shqiptarët, FIFA dënon Serbinë me 50 mijë franga

Serbia dënohet sërish nga FIFA, kësaj here për shkak të fyerjeve të tifozëve serb ndaj 2 futbollistëve me origjinë shqiptare, Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri, në sfidën e Kupës së Botës Katar 2022, mes Zvicrës dhe Serbisë.

Komiteti Disiplinor i FIFA-s ka gjobitur me 50 mijë franga zvicerane, Federatën serbe të Futbollit, pikërisht, për këto sjellje të pahijshme të tifozëve serb.

FIFA gjithashtu sqaron më tej se gjoba ka të bëjë edhe me sjelljen jokorrekte të lojtarëve ballkanas.

Komiteti Disiplinor i FIFA-s ka sanksionuar Federatën e Futbollit të Serbisë me gjobë prej 50 mijë franga zvicerane dhe një mbyllje të pjesshme të stadiumit prej 25% në ndeshjen zyrtare të radhës të përfaqësueses.

Dënimi është për shkelje të nenit 13, që lidhet me diskriminimin dhe nenit 12, që ka të bëjë me sjelljen e pahijshme të lojtarëve dhe zyrtarëve të Kodit Disiplinor të FIFA, gjatë ndeshjes Serbi- Zvicër, thuhej në vendimin e komitetit, të publikuar në faqen zyrtare të Federatës Ndërkombëtare të Futbollit.

Kujtojmë që më herët, FIFA gjobiti serbët me 20 mijë franga, për shkak të flamurit me hartën e Kosovës, nën ngjyrat serbe dhe me mbishkrimin ‘Nuk ka dorëzim’, të shfaqur në dhomat e zhveshjes së futbollistëve dhe stafit, në ndeshjen Brazil-Serbi, në botërorin e Katarit.

Lidhur me këtë ngjarje, reaguan edhe Federata e Futbollit të Kosovës, si dhe Komiteti Olimpik i Kosovës, të cilat i dërguan një ankesë zyrtare FIFA-s dhe Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, duke e quajtur veprimin e serbëve, si një akt shovinist, që nuk i shërben paqes dhe bashkëjetesës mes popujve.