FSHF, investime të rëndësishme për futbollin e Gjirokastrës
Stadiumi i Gjirokastrës do të ketë një tapet të ri ndërsa në qytetin jugor, FSHF do të investojë edhe për ndërtimin e dy fushave. Lajmin e bën të ditur presidenti i FSHF, Armand Duka, i cili ndaloi në qytetin jugor për të vijuar me projektin “Uniforma Ime” në bashkëpunim me Shoqatën Rajonale të Futbollit Gjirokastër, ku mori pjesë edhe kryetari i Bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi.

“Kënaqësi të takohesha me fëmijët, të cilët janë më të rëndësishëm se çdo gjë tjetër për të gjithë ne, por edhe me komunitetin e futbollit të këtij qyteti. Është bukur të shohësh gëzimin dhe shpresën në sytë e tyre sapo marrin në dorë uniformat e reja, që mundësohen falas nga FSHF.
Në bashkëpunim me Bashkinë e Gjirokastrës shpresoj të nisim së shpejti punën për transformimin e infrastrukturës me ndërtimin e dy fushave të reja dhe ndërhyrjen në fushën e stadiumit për të sjellë një ndryshim rrënjësor dhe zhvillimin e futbollit në këtë qytet”, thekson kreu i FSHF.

